Një zjarr i fuqishëm përfshiu një sipërfaqe të madhe toke në lagjen e Shimve, në bashkinë e Rrogozhinës, duke djegur qindra pemë ulliri, pemë frutore dhe rreth 10 hektarë bimësi të ndryshme, ndërsa u rrezikuan edhe disa banesa në afërsi.

Falë reagimit të shpejtë të shërbimeve zjarrfikëse dhe policisë, zjarri u neutralizua pas disa orësh përpjekjesh intensive.

Policia njoftoi se menjëherë pas marrjes së informacionit për zjarrin, patrullat shkuan në vendngjarje dhe nisën punën për identifikimin e autorit të mundshëm të zjarrvënies. Pas një hetimi të shpejtë dhe operacioni në terren, u bë e mundur arrestimi i shtetasit Iljaz Rusta, 41 vjeç, banues në Rrogozhinë, i dyshuar për zjarrin.

Sipas hetimeve paraprake, 41-vjeçari ka qenë duke djegur mbeturina në oborrin e një banese, kur për shkak të erës së fortë, flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur me shpejtësi në zonën përreth. Si pasojë, janë djegur qindra pemë dhe një sipërfaqe e konsiderueshme me bimësi, ndërsa flakët kanë rrezikuar seriozisht banesat fqinje.

Ndaj të dyshuarit rëndon akuza “Shkatërrimi me zjarr i mjedisit pyjor” dhe materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

Top Channel