Nga takimi me Zelenskyn tek telefonata me Putin, Axios zbulon prapaskenat e lëvizjes së Trump për t’i dërguar armë ofensive Ukrainës

14/07/2025 11:06

Në një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin e tij ndaj luftës në Ukrainë, presidenti i SHBA-së Donald Trump duket i gatshëm të vazhdojë mbështetjen për ukrainasit, pasi dërgoi sistemet anti-raketore Patriot në Kiev.

Sipas Axios, ai pritet të njoftojë një plan të ri për t’i siguruar Ukrainës armë “ofensive” , ndërsa deri vonë ai ishte në favor të dërgimit vetëm të armëve mbrojtëse në mënyrë që të shmangej përshkallëzimi i konfliktit.

Sipas burimeve të cituara nga faqja amerikane, propozimi drejtuar Trump u paraqit nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë takimit të tyre në samitin e NATO-s dy javë më parë.

Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas thanë për takimin se ishte “më i miri i tyre deri më tani”.

“Zelensky dukej të ishte një person normal, që nuk fliste budallallëqe, dhe ishte veshur si një përfaqësues i një vendi që duhet të jetë në NATO (presidenti ukrainas veshi një kostum në samit). Ai gjithashtu kishte me vete një grup njerëzish që nuk dukeshin të çmendur. Kështu që biseda ishte e mirë”, tha një zyrtar amerikan.

Sipas Axios, telefonata që Trump pati me Putinin më 3 korrik ishte gjithashtu vendimtare. Në këtë telefonatë, presidenti rus u duk i ngurruar të bënte një hap drejt një armëpushimi, duke përcjellë, përkundrazi, vendimin e Moskës për të përshkallëzuar sulmet ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase.

Putin më pas i tha homologut të tij amerikan se në 60 ditët e ardhshme Rusia do të bënte një përpjekje të re për të pushtuar zonat deri në kufijtë administrativë të Ukrainës në të cilat Moska nuk ka prani.

“Ai dëshiron t’i marrë të gjitha”, thuhet se i tha Trump presidentit Francez Emmanuel Macron pas telefonatës me Putinin, sipas një burimi të cituar nga Axios.

“Në ditët që pasuan, plani për të dërguar këto armë u shndërrua nga një ide në diçka më konkrete”, përfundoi Axios.

Top Channel