
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë afër një rezultati të dobishëm për të dyja palët në bisedimet e tyre tregtare, tha të martën Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic.
“Ndjesia nga ana jonë është se jemi shumë afër një marrëveshjeje”, tha Sefcovic para një takimi të ministrave të tregtisë së BE-së në Bruksel, duke shtuar se tarifat prej 30% që Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar t’i vendosë BE-së praktikisht do ta zhduknin tregtinë.
Ndërkohë, dëshira e Bashkimit Evropian për një marrëveshje me SHBA-në u përsërit të mërkurën nga Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, një ditë pasi Donald Trump njoftoi se një tarifë prej 30% mbi eksportet evropiane do të vendoset nga 1 gushti.
Ursula von der Leyen tha se Brukseli po i zgjat kundërmasat deri në fillim të gushtit, ndërsa moratoriumi i BE-së për hakmarrje ishte planifikuar të skadonte të hënën ose të martën.
Sidoqoftë, ajo përsëriti se Evropa dëshiron një zgjidhje të negociuar me Shtetet e Bashkuara për tregtinë.
“Instrumenti ‘kundër shtrëngimit’ u krijua për situata të veçanta dhe ne nuk jemi ende atje”, shtoi ajo, duke iu referuar një instrumenti që i lejon Bashkimit Evropian të shkojë përtej tarifave tradicionale mbi mallrat dhe të vendosë kufizime në tregti, por edhe në shërbime.
Top Channel