
Një zjarr masiv ka përfshirë kodrat e Karinës në Peqin, flakë të cilat janë përhapur edhe në Sinaballaj në territorin e Rrogozhinës.
Situata mbetet kritike, ndërsa ka nisur ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë.
Sipas raportimeve paraprake, flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj dhe kullotë.
Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale dhe ato mjedisore janë të konsiderueshme. Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë në kushte të vështira për të lokalizuar dhe shuar vatrat aktive. Në ndihmë të tyre janë bashkuar edhe banorë të zonës të cilët po kontribuojnë në mënyrë vullnetare për përballimin e emergjencës.
Gjithashtu, në operacion janë angazhuar dy helikopterë të shërbimit zjarrfikës dhe të ushtrisë, të cilët po ndihmojnë nga ajri në përpjekjet për të frenuar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Autoritetet si gjithmonë në raste të situatave të tilla të emergjencave bëjnë thirrje për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve, ndërkohë që situata mbetet ende kritike dhe nën monitorim të vazhdueshëm.
Top Channel