Vijojnë sulmet izraelite në Gaza, të paktën 27 viktima, përfshirë disa fëmijë

13/07/2025 18:29

Të paktën 27 palestinezë, përfshirë disa fëmijë, u vranë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës të dielën, tha Agjencia e Mbrojtjes Civile.

Sipas një zëdhënësi të organizatës së ndihmës së shpejtë në Rripin e Gazës, sulmet, të cilat u zhvilluan para agimit dhe herët në mëngjes, kishin në shënjestër kryesisht shtëpitë dhe kampet për personat e zhvendosur.

Në Qytetin e Gazës, pesë palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë në një sulm natën në një shtëpi në kampin Sati, ndërsa dy sulme të tjera në një tjetër shtëpi vranë tre persona, përfshirë një fëmijë, tha zëdhënësi i Agjencisë së Mbrojtjes Civile.

Në kampin e refugjatëve Nusseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, 10 persona u vranë në një sulm ndaj një shtëpie, shtoi ai.

Gjashtë palestinezë u vranë këtë mëngjes pranë një pike shpërndarjeje të ujit të pijshëm në Nusseirat. Tre të tjerë u vranë në një bastisje në kampin Al-Maëasi, në pjesën jugore të territorit.

Duke pasur parasysh kufizimet e vendosura ndaj medias nga Izraeli, i cili po rrethon Gazën dhe vështirësitë e aksesit në tokë, Agence France-Presse nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur rrëfimet dhe pretendimet e palëve të ndryshme.

Top Channel