
“Ngjante si një djalosh. Mori çantën nga makina, hodhi xhaketën në sup dhe më tha: ‘Hope to see you tomorrow’ dhe u drejtua për tek hoteli”.
Kështu i kujton momentet e fundit me ish-ambasadorin Gjerman Werner Daum pedagogu Besjan Zogaj, i cili ishte pritësi i tij në Shqipëri me rastin e ceremonisë të diplomimit të studentëve të UET, vizitë e shumëpritur por që rezultoi të ishte e fundit për 82-vjeçarin.
Një njohje e kultivuar në 10 vite që i përshfaqi personalitetin e madh që ishte Werner Daum. Vizita e tij në Shqipëri këtë fillim korriku do të sillte dhe jetësimin e të gjitha kujtimeve të tij në Shqipërinë komuniste kur hapi ambasadën e parë gjermane në Tiranë në vitin 1987 dhe mbi një ndër episode më të rëndësishme të Shqipërisë, ngjarjet e 2 korrikut të viteve ’90.
“Në këtë vizitë kishte një turravrap për të rrëfyer gjithçka kishte ndodhur në qëndrimin e tij në Shqipëri dhe arsyen pse kishte ndodhur. Pse ai mori një lloj protagonizmi duke shkelur edhe një udhëzim të ministrisë së jashtme të republikës federale të Gjermanisë. Të linte derën hapur të ambasadës dhe të strehonte në të 3199 shqiptarë për gati 10 ditë”, tha Besjan Zogaj, pedagog.
Një ndër këta shqiptarë të strehuar në ambasadën gjermane në korrik të vitit 90 është dhe Ilir Demalia, i cili kujton qetësinë emblematike kur u përballën me një krizë të madhe kur regjimi ndërpreu ujin në ambasadë dhe nuk lejoi të furnizoheshin me ushqime
Pavarësisht kostos profesionale që mori nga kjo ngjarje, Daum nuk pati asnjë pishman dhe pavarësisht se shërbeu si diplomat në shumë vende Shqipëria mbeti gjithmonë pjesë e kujtimeve dhe shqetësimeve të tij
“z.Daum ka bërë një libër mbi historinë e Shqipërisë, islamin në Shqipëri dhe bukuritë natyrore të saj. Si një intelektual i shqetësuar ai e shihte Shqipërinë në një udhëkryq për shkak se nga një anë vlerat europiane janë të rrezikuara dhe Shqipëria nuk ka ecur në shpejtësinë e duhur në drejtim të Europës”, tha Ilir Demalia, analist.
Daum, jetonte i vetëm pasi nuk kishte fëmijë ndërsa bashkëshortja i kishte ndërruar jetë më parë. Po komunikohet me familjarë të tjerë të tij për të vendosur se ku do të prehet ai, pavarësisht se vendi ynë ka shprehur interes për ta mbajtur dhe nderuar si i takon një personaliteti të nivelit të tij.
Top Channel