Kaos në SHBA, një person i armatosur qëllon oficerin e policisë dhe më pas hap zjarr drejt një kishe, ende nuk dihet numri i viktimave

13/07/2025 21:18

Skena kaosi në Lexington të SHBA-së, pasi një person i armatosur hapi zjarr pranë Aeroportit Blue Grass, duke qëlluar një oficer policie dhe më pas duke ikur drejt një kishe në Richmond Road, ku plagosi disa persona para se të vritej nga policia lokale.

Sipas autoriteteve, incidenti i përgjakshëm filloi rreth orës 11:36 të paradites kur personi i armatosur sulmoi një oficer të Policisë Shtetërore të Kentucky-t (KSP) pranë Aeroportit Blue Grass. Oficeri i plagosur u dërgua menjëherë në spital.

Më pas Autori iku dhe u drejtua drejt një kishe. Policia Shtetërore dhe Policia e Lexingtonit arritën ta neutralizonin autorin, i cili humbi jetën nga të shtënat e policisë në ambientet e kishës.

“Oficeri dhe të plagosurit e tjerë po trajtohen në një spital aty pranë. Ju lutemi lutuni për të gjithë ata që preken nga këto akte të pakuptimta dhune dhe le të falënderojmë reagimin e shpejtë të autoriteteve”, tha Guvernatori i Kentucky-t, Andy Beshear.

Autoritetet nuk kanë njoftuar ende numrin e saktë të viktimave ose gjendjen e tyre, ndërsa hetimi vijon në vendngjarje.

Top Channel