
Presidenti Donald Trump njoftoi të shtunën vendosjen e një tarife 30% mbi importet nga Meksika dhe Bashkimi Europian, që do të hyjë në fuqi më 1 gusht, pasi javë negociatash me këta partnerë të rëndësishëm tregtarë nuk arritën në një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Tarifat e reja u bënë publike përmes letrave të ndara të postuara në rrjetin social Truth Social. Më herët gjatë javës, Trump shpalli edhe tarifa të reja ndaj disa vendeve të tjera, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Kanadanë dhe Brazilin, si dhe një tarifë 50% mbi bakrin.
Bashkimi Europian kishte shpresuar të arrinte një marrëveshje të plotë tregtare me Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë edhe eliminimin e tarifave për mallrat industriale. Por pas muajsh negociatash të vështira, blloku 27-anëtarësh është detyruar të pranojë mundësinë e një marrëveshjeje të përkohshme, me shpresën se një marrëveshje më e mirë mund të negociohet në të ardhmen.
Ndërkohë që Gjermania ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje sa më shpejt për të mbrojtur industrinë e saj, vende të tjera si Franca kanë theksuar se negociatorët e BE-së nuk duhet të pranojnë kushte të njëanshme në favor të SHBA-së.
Valët e reja të tarifave që Trump ka nisur që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë kanë sjellë të ardhura të mëdha për buxhetin amerikan. Sipas të dhënave të Thesarit të SHBA, të ardhurat nga detyrimet doganore tejkaluan 100 miliardë dollarë gjatë vitit fiskal deri në qershor.
Top Channel