Taksa kundër mbiturizmit! Greqia vendos barriera në zonat me fluks shumë të madh vizitorësh në ishuj

12/07/2025 12:40

Prej datës 1 korrik Greqia ka vendosur një tarifë prej 20 eurosh për turistët që mbërrijnë në Santorini dhe Mykonos me kroçera për të frenuar mbiturizmin dhe për të mbledhur të ardhura që do të shkojnë tek përmirësimi I infrastrukturës.

Ishulli vullkanik i Santorinit në Detin Egje tërheq rreth 2 milionë turistë në vit, por me një popullsi prej rreth 15,000 banorësh, një port të vetëm kryesor dhe shqetësime në rritje për aktivitetin sizmik, qeveria është përpjekur të zvogëlojë ndikimin e turizmit. Në 10 ditëshin e parë të zbatimit të kësaj tarife reagimet e turistëve kanë qenë të ndryshme.

Futja e tarifës vjen pas lëvizjeve të ndryshme të protestave në disa vende europiane, ku banorët janë indinjuar nga turizmi dhe turistët e shumtë që sjellin rritjen e kostos së qirasë dhe çmimet e produkteve.

Tarifa në fjalë prej 20 eurosh do të jetë në fuqi në muajt qershor, korrik, gusht e shtator, do të shkojë 12 euro përgjatë muajit tetor, 4 euro nga nëntori deri në mars, duke u rritur përsëri në 12 euro nga prilli deri në maj. Operatorët e kroçerave nga ana e tyre thonë se taksa është e padrejtë pasi synon vetëm anijet turistike që mbërrijnë në ishull.

Top Channel