
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është takuar me ministrin e mbrojtjes, Rustem Umerov, pasi Rusia nisi një nga sulmet e saj më të mëdha të luftës në Ukrainë gjatë natës.
“Udhëzova që të gjitha llojet e dronëve me përparësi të kontraktohen dhe gjithashtu po punojmë veçmas me partnerët evropianë për financimin“, tha Zelensky.
Përmes një postimi në platformën X, ai thotë “Këtë vit, ne duhet t’i tejkalojmë shumë objektivat e planifikuara fillimisht të prodhimit dhe furnizimit me dronë për ushtrinë.”
Zelensky tha gjithashtu se Ukraina po përgatit “hapa jokonvencionalë” për të forcuar mbrojtjen e saj.
“Ukrainës i duhet një moment më pozitiv në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe, në të njëjtën kohë, kërkohen hapa të rinj në menaxhimin e sektorit tonë kombëtar të mbrojtjes”, shtoi ai.
Top Channel