
Trafikanti kryesor i drogës në Ekuador, Adolfo Macias, ose “Fito”, pranoi të premten të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara, ku përballet me akuza nga prokurorët për trafik kokaine dhe armësh, njoftoi departamenti i drejtësisë i vendit latino-amerikan.
Fito, një nga kriminelët më të rrezikshëm të vendit, u arrestua në fund të qershorit në qytetin e tij të lindjes, Manta, 350 kilometra në jug të kryeqytetit Quito, pas një viti e gjysmë në arrati pasi u arratis nga një burg i sigurisë së lartë.
Ai arriti të arratisej në janar 2024 nga burgu i madh në Guayaquil, ku kishte vuajtur një dënim me 34 vjet burg për pjesëmarrje në krim të organizuar, trafik droge dhe vrasje që nga viti 2011.
I veshur me një uniformë portokalli burgu dhe me mjekër të gjatë, Fito mori pjesë në një seancë dëgjimore dje nga qelia e tij nëpërmjet videokonferencës. Ai thjesht iu përgjigj gjyqtarit, “po, e pranoj” (ekstradimin).
Vendimi i gjykatës hap rrugën për transferimin e tij.
“Sapo ekstradimi (…) të jetë pranuar” nga personi në fjalë, “procesi i transferimit të tij në Shtetet e Bashkuara do të ndjekë rrjedhën e synuar”, sipas vendimit të gjykatës.
Presidenti Daniel Noboa ende nuk ka urdhëruar zyrtarisht ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.
45-vjeçari do të jetë shtetasi i parë ekuadoras që do të ekstradohet në vend pasi mundësia e zbatimit të kësaj procedure u rivendos përmes një referendumi në vitin 2024, një masë e promovuar nga Presidenti Noboa si pjesë e luftës kundër krimit të organizuar.
Kreu i një prej bandave kryesore të vendit, “Soneros”, me një pozicion dominues në trafikun e kokainës, Fito ishte i lidhur me vrasjen në gusht 2023 të kandidatit presidencial Fernando Villavicencio.
Arratisja e tij në fillim të vitit 2024 shkaktoi një valë të paparë dhune në vendin e Amerikës Latine. Më shumë se 200 policë dhe personel sigurie burgjesh u rrëmbyen, ndodhën shpërthime, dhjetëra njerëz u vranë, shpërthyen përleshje në rrugë dhe persona të maskuar sulmuan një studio televizive gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë. Një prokuror që hetonte rastin e fundit u vra në maj.
Presidenti Noboa e shpalli vendin në gjendje “konflikti të brendshëm të armatosur” në atë kohë, duke vendosur ushtrinë për të neutralizuar rreth 20 banda, të cilat u shpallën organizata “terroriste”.
Për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike, midis Kolumbisë dhe Perusë – dy vendet me prodhimin më të madh të kokainës në botë -, ekonomisë së saj të dollarizuar dhe porteve të saj strategjikisht të rëndësishme në Paqësor, Ekuadori është bërë vitet e fundit një teatër konfliktesh të ashpra që lidhen me trafikun e drogës, destinacionet kryesore të të cilit janë Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.
Top Channel