
Sikurse e kishte paralajmëruar edhe kreu i qeverisë Edi Rama, aktiviteti i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit tashmë është në ‘lupë’.
Mëngjesin e sotëm në një deklaratë për mediat ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, bëri me dije masat ndaj AKU, me qëllimin forcimin e kontrollit dhe transparencës.
Denaj ka urdhëruar pezullimin e të gjitha inspektimeve pa planifikim paraprak dhe të pa miratuara, si dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm vlerësimi me 5 anëtarë, 3 prej të cilëve nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Ajo sqaroi se komisioni do të rivlerësojë trupën aktuale të inspektorëve të AKU-së, si dhe do të merret me përzgjedhjen e aplikantëve të rinj, me synim krijimin e një profili të ri inspektues në përputhje me ligjin “Për inspektimet” dhe në mbrojtje të interesit të konsumatorit.
“Garantimi si sigurisë ushqimore është një detyrim ligjor për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe për të gjitha institucionet e saj të varësisë.
83 mandate për Shqipërinë 2030 janë një barrë për ne, por mbi të gjitha janë një përgjegjësi e madhe për të reaguar më mirë, për të reflektuar me të gjitha problematikat, me vendosmëri, me shpejtësi dhe për të korrigjuar vetveten.
Në reagim të menjëhershëm të detyrave të ngarkuara dhe në përputhje me kompetencat dhe parashikimet ligjore dhe në veçanti duke marrë në konsideratë një rritje të ndjeshme të ankesave të subjekteve të lidhura me ushqimin, subjekteve të tregtimit të produkteve ushqimore dhe qasjen dhe sjelljen në bazë të këtyre ankesave të trupës inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, mungesës së pajustifikuar të planeve të tyre operacionale, përgatitjen për zbatimin e plotë të ligjit për inspektimet në Republikën e Shqipërisë, adresimin e praktikave abuzive në përmbushje dhe kryerjen e detyrave inspektuese, rishikimin e mekanizmit të koordinimit ndërmjet strukturave rajonale, atyre qendrore të AKU-së, por dhe strukturave në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të unifikuar dhe zbatuar një praktikë në frymë të ligjit për inspektimet, si dhe garantimit të transparencës dhe standardeve sipas kërkesave ligjore, kam urdhëruar pezullimin e ushtrimit të aktivitetit të inspektimeve pa planifikim paraprak dhe atyre të pamiratuara.
Ky urdhër njëkohësisht ka në bazë edhe ngritjen e një komisioni të posaçëm me pesë anëtarë. Unë këtu dua të falënderoj mbështetjen e Universitetit Bujqësor të Tiranës, i cili në përbërje të këtij komisioni do të ketë tre anëtarë dhe do të kryesohet nga profesor Iliri, komisioni do të vlerësojë në formë të shkruar dhe me gojë inspektorët e AKU-së.
Aplikantët e rinj, të cilët do t’i bashkohen kësaj trupe, do të jenë gjithashtu fokus i veprimtarisë së këtij komisioni për të sjellë në këtë institucion një frymë të re, një qasje të re dhe mbi të gjitha, një etikë të re.
Ky proces do të ketë jo vetëm një analizë të gjithë masave dhe gjithë proceseve të shkuara, por dhe një testim dhe një vlerësim të potencialit tuaj individual në frymë të punës”, u shpreh Denaj.
Top Channel