
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar vendosjen e një tarife të re prej 35% ndaj të gjitha mallrave kanadeze, duke filluar nga 1 gushti, nëse nuk arrihet një marrëveshje e re tregtare midis dy vendeve brenda afatit të vendosur për 21 korrik.
Ky paralajmërim u bë publik përmes një letre të postuar në Truth Social, pjesë e një fushate më të gjerë që përfshin më shumë se 20 letra drejtuar partnerëve kryesorë tregtarë të SHBA-së, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut dhe Sri Lankën. Për të gjithë këta vende, Trump ka kërcënuar me tarifa të reja që variojnë nga 15% deri në 35%.
Në letrën drejtuar Kanadasë, Trump e kushtëzoi tarifën me disa faktorë politikë dhe ekonomikë, duke përfshirë:
-Dështimin e Kanadasë për të ndaluar rrjedhën e fentanilit në SHBA.
-Taksat kanadeze ndaj fermerëve amerikanë të qumështit.
-Deficiti tregtar në rritje mes dy vendeve.
“Nuk do të ketë tarifa nëse Kanadaja ose kompanitë brenda vendit vendosin të ndërtojnë ose prodhojnë brenda SHBA-së,” shkruan Trump. Ai shtoi se tarifat “mund të modifikohen, lart ose poshtë, varësisht nga marrëdhënia me vendin tuaj”.
Kryeministri kanadez Mark Carney reagoi menjëherë përmes platformës X, duke theksuar se qeveria e tij do të vazhdojë të mbrojë interesat e punëtorëve dhe bizneseve kanadeze, ndërsa mbetet e angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë me SHBA-në.
Top Channel