
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion zhvilloi një operacion të gjerë në Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Tiranë për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal, duke lëshuar 13 urdhër-arreste, 7 prej të cilëve janë ekzekutuar, ndërsa 6 persona të tjerë janë në kërkim.
Nga hetimet ka rezultuar se grupi kriminal trafikonte drogë nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Bashkimit Evropian, dhe në mesin e të arrestuarve janë edhe zyrtarë policie.
Hetimet kanë zbuluar se anëtarët e grupit kriminal kanë trafikuar drogë në të paktën 7 episode, përgjatë viteve 2020-2021, ku në total janë sekuestruar mbi 3500 kilogramë kokainë, 700 kilogramë kanabis dhe 4.2 kilogramë heroinë.
Mes personave të arrestuar nga aksioni i SPAK është edhe zyrtari i policisë, Erjon Dani, i cili nga të dhënat e sistemit TIMS, rezulton se ka ndihmuar grupin e trafikut të drogës, gjatë kohës kur ushtronte funksionin e Shefit të Policisë Kriminale, njëkohësisht edhe zëvendësshef i Komisariat të Policisë numër 3 në Tiranë.
Goditja ndaj grupit kriminal ka ardhur pas zbërthimit të komunikimeve në SKY ECC të anëtarëve të bandës së trafikut të drogës. Aksioni i SPAK në katër qarqet e vendit nisi prej orëve të para të mëngjesit të së premtes, ku janë sekuestruar pesë makina të markave të ndryshme, mijëra euro e dollarë, armë e fishekë, si dhe kokainë dhe dokumente të ndryshme.
Top Channel