
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump duket i gatshëm t’i dërgojë armë Ukrainës duke ia shitur ato fillimisht aleatëve të NATO-s.
The Guardian shkruan se kjo lëvizje vjen mes tensioneve me presidentin rus, Vladimir Putin për shkak të bllokimit të negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Gjatë një interviste me NBC Neës, Trump tha se ndoshta do të ketë një “njoftim të rëndësishëm” mbi Rusinë të hënën teksa konfirmoi se kishte arritur një marrëveshje me udhëheqësit e NATO-s për të furnizuar me armë Ukrainën.
“Mendoj se do të kem një deklaratë të rëndësishme për të bërë mbi Rusinë të hënën. Jam i zhgënjyer me Rusinë, por do të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë dy javëve të ardhshme”, u shpreh Trump.
I dërguari i Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, është planifikuar të mbërrijë në Kiev në të njëjtën ditë për një udhëtim njëjavor që vjen pasi SHBA-të ndaluan përkohësisht dërgesat e armëve në Ukrainë, si pjesë e një shqyrtimi nga Pentagoni të rezervave në rënie të municioneve të rëndësishme, përfshirë raketat e mbrojtjes ajrore Patriot.
Shtëpia e Bardhë tani është përpjekur të distancohet nga vendimi, dhe Trump ka sugjeruar se është gati të japë dritën jeshile një paketë të madhe ndihme ushtarake për Ukrainën nëpërmjet NATO-s, duke përmbysur një politikë të mëparshme të reduktimit të mbështetjes për qeverinë ukrainase për të detyruar Kievin të kërkojë paqe.
Gjatë intervistës, Trump paraqiti një plan sipas të cilit SHBA-të mund t’i shesin armë NATO-s dhe më pas ato mund të dërgohen në Ukrainë. Theksojmë se Trump nuk ka miratuar më parë paketa ndihme ushtarake për Ukrainën.
“Pra, ajo që po bëjmë është se armët që po dalin po shkojnë në NATO, dhe pastaj NATO do t’ia japë këto armë [Ukrainës], dhe NATO po paguan për këto armë”, tha Trump.
Zyrtarët e administratës kanë thënë se kjo do të ishte ndryshe nga furnizimi direkt i Ukrainës nga SHBA-të, pasi NATO dhe jo Uashingtoni do të merrte vendimin për të armatosur Kievin.
Top Channel