Shkodra i ka dhënë sot lamtumirën e fundit Arben Anamalit, kapitenit të anijes turistike që humbi jetën në përpjekje për të shpëtuar një grup turistësh izraelitë që po rrezikonin të mbyteshin në Liqenin e Shkodrës.

Kapiteni 50-vjeçar, baba i dy fëmijëve, nuk hezitoi të hidhej në ujë për t’u ardhur në ndihmë turistëve. Pasi u hodhi jelekët e shpëtimit, përfshirë edhe atë që kishte vetë, turistët arritën të ngjiteshin sërish në anije. Por, Arben Anamali nuk u kthye më.

Më njoftoi një koleg, që ka punuar bashkë me të në anije. Më tha që Beni ka pësuar një aksident. Se mendova kurrë se ishte mbytur, se ishte shumë i fortë. Është dhimbje shumë e madhe për ne”, u shpreh bashkëshortja e viktimës, Najada Isufi.

Trupi i tij u gjet pas tre ditësh kërkimesh intensive. Të afërmit shpresojnë që emri dhe sakrifica e tij të mbeten në kujtesën e çdo shqiptari, si një shembull i rrallë humanizmi.

“Për aktin e tij nuk kemi çfarë të them, sepse kanë folur të gjithë. Shpresojmë mos të harrohet dhe të respektohet”, u shpreh nipi i viktimës, Mirsad Isufi.

Për aktin heroik të kryer në shërbim të jetës, kapiten Arben Anamali është shpallur nga qeveria shqiptare “Dëshmor i Atdheut”.

Top Channel