Për dy dekada ka mbjellë mbi 41 mijë pemë në parkun e Sao Paulos, historia domethënëse e Helio da Silvas

11/07/2025 09:11

Helio da Silva, një drejtues biznesi tashmë në pension nga Brazili, mbolli i vetëm mbi 41,000 pemë në qytetin e tij të lindjes, Sao Paulo, gjatë dy dekadave të fundit.

Duke fluturuar mbi metropolin brazilian të Sao Paulos, është e vështirë të mos e vëresh rripin e gjelbër të pemëve, 3.2 kilometra të gjatë dhe 100 metra të gjerë, të vendosur midis dy rrugëve më të ngarkuara të qytetit.

Njihet si Parku Linear Tiquatira dhe është vepër e një njeriu të vetëm që punoi pa u lodhur për më shumë se 20 vjet për të transformuar një zonë të rrënuar më parë në një xhungël të vërtetë brenda xhunglës urbane që është Sao Paulo.

Me origjinë nga qyteti i Promissao, rreth 500 km nga Sao Paulo, Helio da Silva ishte një drejtues biznesi i suksesshëm për shumë vite, por pasi doli në pension, ai mori përsipër të transformonte brigjet e degraduara të lumit Tiquatira në një oaz të gjelbër për komunitetin e tij.

73-vjeçari da Silva u shpreh së fundmi në një intervistë se donte t’i linte një trashëgimi qytetit që e “adoptoi” dekada më parë. Brenda katër viteve të para të projektit të tij epik, ai i vetëm mbolli 5,000 pemë në një zonë që ishte braktisur prej kohësh dhe dihej se frekuentohej nga tregtarët dhe përdoruesit e drogës.

Vepra e tij mbresëlënëse e shtyu bashkinë eSao Paulos të vlerësonte përpjekjet e tij dhe ta njihte zonën si parkun e parë linear në Sao Paulo. Kjo vetëm sa e inkurajoi da Silvën, i cili vazhdoi të mbjellë pemë vendase.

Deri në vitin 2020, Helio kishte mbjellë më shumë se 25,047 pemë në një zonë prej 3.2 km të gjatë, duke arritur një shkallë mbijetese prej 88 përqind. Për çdo 12 pemë, ai mbolli një lloj peme që bënte fruta me shpresën për të tërhequr zogj dhe kafshë në oazën e tij të gjelbër. Sot, Parku Linear Tiquatira numëron mbi 41,000 pemë individuale, dhe Helio da Silva nuk planifikon të ndalojë mbjelljen derisa të arrijë të paktën 50,000 prej tyre.

“Motivimi im vjen nga vetë pemët, sepse pemët na japin lule dhe fruta, thithin ujin e shiut, tërheqin zogjtë dhe na ofrojnë hije të mrekullueshme dhe ajër të pastër”, tha da Silva për Common Earth.

Helio shprehet se ka shpenzuar rreth 7,000 dollarë në vit për përpjekjet e tij për mbjelljen e pemëve që nga viti 2022, por nga sa e sheh ai, ishte një investim i vlefshëm për veten e tij, familjen e tij dhe të gjithë Sao Paulo-n. Dikur i etiketuar si i çmendur për kalimin e pjesës më të madhe të kohës së tij duke mbjellë pemë në një zonë që shumica e njerëzve e shmangnin, Helio da Silva tani cilësohet si një hero lokal. Ai ndonjëherë merr ndihmë nga dashamirës të natyrës me të njëjtat mendime, por ai është ende forca lëvizëse pas këtij projekti të mrekullueshëm./ TAR

Top Channel