OKB: 798 të vdekur pranë qendrave të ndihmës në Gazë në gjashtë javët e fundit

11/07/2025 17:33

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha të premten se i ka regjistruar të paktën 798 vrasje gjatë gjashtë javëve të fundit në pikat e shpërndarjes së ndihmave në Rripin e Gazës.

Ajo tha se vrasjet kanë ndodhur në pikat që menaxhohen nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, si dhe pranë autokolonave të drejtuara nga organizata të tjera ndihmash.

GHF-ja përdor kompani private amerikane të sigurisë dhe logjistikës për të sjellë furnizime në Gazë, duke anashkaluar sistemin e udhëhequr nga OKB-ja, për të cilin Izraeli pretendon se është shfrytëzuar nga militantët e udhëhequr nga Hamasi për t’i plaçkitur ndihmat e destinuara për civilët.

Hamasi – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – i mohon akuzat e Izraelit.

Pas vrasjes së qindra civilëve palestinezë që përpiqeshin të arrinin te pikat e ndihmës së GHF-së në zona ku operojnë forcat izraelite, Kombet e Bashkuara e cilësuan këtë model ndihme “thellësisht të pasigurt” dhe në kundërshtim me standardet e paanshmërisë humanitare.

“(Nga 27 maji) deri më 7 korrik, kemi regjistruar 798 vrasje, përfshirë 615 pranë pikave të Fondacionit Humanitar të Gazës dhe 183, me shumë gjasë, përgjatë rrugëve të autokolonave të ndihmës”, tha zëdhënësja e zyrës së OKB-së (OHCHR), Ravina Shamdasani, në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

GHF-ja, që filloi të shpërndante paketa ushqimore në Gazë në fund të majit pasi Izraeli hoqi një bllokadë 11-javore të ndihmës, i tha Reutersit se shifrat e OKB-së janë “të rrejshme dhe çorientuese”.

Ajo e mohon se incidente vdekjeprurëse kanë ndodhur në pikat e saj shpërndarëse.

“Fakti është se sulmet më vdekjeprurëse në vendet e ndihmës kanë qenë të lidhura me autokolona të OKB-së”, tha një zëdhënës i GHF-së.

“Zgjidhja përfundimtare është më shumë ndihma. Nëse OKB-ja dhe organizata të tjera humanitare do të bashkëpunonin me ne, ne mund t’i ndalonim ose t’i pakësonim ndjeshëm këto incidente të dhunshme”, tha ai.

Ushtria izraelite i tha Reutersit se është duke e hetuar numrin e madh të viktimave dhe se ka ndërmarrë hapa për t’i minimizuar përplasjet mes palestinezëve dhe Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), duke vendosur gardhe, tabela paralajmëruese dhe hapur rrugë shtesë.

OHCHR-ja tha se shifrat e saj bazohen në burime si informacione nga spitalet në Gazë, varrezat, familjet, autoritetet shëndetësore palestineze, OJQ-të dhe partnerët e saj në terren.

Shumica e plagëve të palestinezëve pranë pikave të shpërndarjes së ndihmës të regjistruara nga OHCHR që nga 27 maji ishin plagë nga armë zjarri, tha Shamdasani.

“Ne kemi ngritur shqetësime për krime mizore që mund të jenë kryer dhe për rrezikun që krime të tjera mizore të ndodhin aty ku njerëzit po presin në radhë për ndihma jetike si ushqimi”, tha ajo.

Izraeli ka deklaruar se forcat e tij veprojnë pranë vendeve të ndihmës për të parandaluar që furnizimet të bien në duart e militantëve me të cilët është në luftë që nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023./REL

Top Channel