
Edhe të premten ka vazhduar seria e dështimeve të Kuvendit të Kosovës.
Për të 45-tën herë nuk është konstatuar parlamenti pasi kryesuesi i seancës, Avni Dehari procedoi me skenarin e njëjtë të propozimit të formimit të komisionit për votimin e fshehtë.
Njëkohësisht, ai u kërkoi partive të propozojnë anëtarët për këtë komision, kjo mundësi u shfrytëzua nga deputetët e opozitës për të paraqitur pakënaqësitë.
Megjithatë, fjala e tyre ndërpritej nga kryesuesi i seancës.
“Sot është hera e 45-të që e shkelë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo është e papranueshme”, shprehet Abelard Tahiri – Deputet, PDK.
“I nderuari kryesues, unë propozoj që ju të ktheheni në rendin e ditës dhe të respektoni Gjykatën Kushtetuese…”, thotë Ekrem Hyseni – Deputet, LDK
“Po e shohim që ka një bllokadë të qëllimshme…”, tha Time Kadrijaj – Deputete, AAK.
Seanca u ndërpre për të vazhduar më 13 korrik, por, deputetët e opozitës qëndruan në sallën e seancave plenare.
Këtë e bënë në shenjë proteste e me t’u larguar Lëvizja Vetëvendosje nga salla përfunduan fjalimet e tyre në kundërshtim të veprimeve të partisë së parë.
“Kosova nuk mund të mbahet peng nga egoja jote personale, Albin Kurti. Kosova ka halle shumë më të mëdha se sa kokëfortësia jote”, tha Blerta Deliu – Kodra – Deputete, PDK.
“Uzurpimi i institucioneve, shkelja e Kushtetutës, ikja nga procedura e rendit të ditës në seancën konstituive të këtij kuvendi, vetëm dëshmi shtesë janë se këta njerëz vërtetë e bëjnë ata që i konvenon pushtetit, por jo qytetarëve”, thotë Ekrem Hyseni – Deputet, LDK.
“Albin Kurti është strumbullari i keqpërdorimeve, është strumbullar i korrupsionit bashkë me kabinetin e tij qeveritar. Prej strumbullar, ky aktor po e mban sot peng shtetin e Kosovës”, tha Time Kadrijaj, deputete e AAK.
Partia fituese e zgjedhjeve, akuzon opozitën si bllokuese e procesit të formimit të institucioneve.
“Ishim dëshmitarë së bashku të mospjesëmarrjes në votim, të një shkeljeje evidente kushtetuese e cila po ndodhë nga deputetët e deritashëm opozitar”, tha Mimoza Kusari – Lila – Deputete, LVV.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill. Gjykata Kushtetuese ka dhënë afat që deri më 26 korrik të përmbyllet procesi i konstituimit.
Top Channel