I biri i bën “kërdinë” ministrit suedez të Migracionit, 16-vjeçari lidhje me grupet ekstremiste

11/07/2025 08:44

Ministri suedez i Migracionit, Johan Forssell, është vënë në qendër të vëmendjes publike dhe politike pasi u zbulua se djali i tij adoleshent ka pasur lidhje me grupe supremaciste të bardha, përfshirë edhe organizatën neo-naziste Lëvizja Nordike e Rezistencës (NMR).

Forssell konfirmoi se personi i përmendur në një raport të organizatës suedeze kundër racizmit Expo si “i afërm i ngushtë i një ministri” dhe “aktiv në të djathtën ekstreme”, është djali i tij 16-vjeçar. Ai theksoi se nuk ishte në dijeni për përfshirjen e të birit deri në momentin kur u kontaktua nga shërbimi suedez i sigurisë, Säpo, disa javë më parë.

“Ndoshta shumë prindër mund ta kuptojnë që nuk kanë një pamje të plotë të asaj që fëmijët e tyre po bëjnë në mediat sociale,” tha Forssell në një intervistë për TV4, duke shtuar se e kishte ndjekur të gjithë protokollin e kërkuar pas marrjes së informacionit.

Ministri deklaroi se djali i tij ka ndërprerë çdo kontakt me grupet ekstremiste dhe është thellësisht i penduar. Ai tha se ai dhe bashkëshortja e tij kanë pasur “biseda të gjata dhe të rëndësishme” me të birin, duke e përshkruar situatën si një “kapitull të mbyllur”.

Në një reagim publik në rrjetet sociale, Forssell theksoi se vendimi për të mos dalë menjëherë publikisht ishte marrë për të mbrojtur privatësinë dhe të drejtat e të miturit.

Top Channel