
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe me ullinj dhe vreshtari në Fierzë të Belshit.
Flakët kanë përfshirë rreth 8 ha sipërfaqe.
Zjarri ka rrezikuar seriozisht edhe disa banesa, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse është arritur të vihet nën kontroll pas më shumë se 3 orësh përpjekjesh të vazhdueshme.
Zjarri i shfaqur në Fierzë të Belshit u favorizua edhe nga era dhe u përhap me shpejtësi duke shkaktuar dëme të tjera në pemtari, vreshta, shkurre dhe lloje të ndryshme bimësie.
Ndërkohë, Policia e Qarkut ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit duke verifikuar nëse bëhet fjalë për një rast aksidental apo të qëllimshëm.
Autoritetet lokale dhe emergjencat civile u bëjnë thirrje qytetarëve për vigjilencë dhe bashkëpunim në parandalimin e situatave të tilla, të cilat rrezikojnë sigurinë publike dhe mjedisin.
Vetëm gjatë kësaj jave në të shtatë bashkitë e Qarkut Elbasan janë evidentuar 21 vatra zjarri , një shifër kjo mjaft shqetësuese për autoritetet lokale.
Top Channel