
Shumë njerëzve në Gjermani, rroga nuk u del më: Deputeti i partisë e Majta Cem Ince, ankohet se paga minimale në vend është shumë e ulët. Edhe pse qeveria e mëparshme e rriti pagesën minimale në 12,82 euro, ajo nuk mjafton, tha Ince për DW.
Sipas tij, gjithmonë e më shumë punonjës me orar të plotë varen nga ndihmat e shtetit dhe rritja e re e pagës minimale nuk do të sjellë asnjë ndryshim. Kancelari Friedrich Merz paraqiti së fundi në Bundestag atë që e cilësoi si një nga prioritetet e ardhshme kryesore të qeverisë: reforma e “Bürgergeld” (ndihmat për qytetarët).
“Bürgergeld” është miratuar nga qeveria e kaluar dhe që atëherë është kritikuar shpesh nga CDU/CSU. Në vitin 2024, rreth 826,000 punonjës vareshin nga përfitimet sociale ose “Bürgergeld”. Kjo është rreth 30,000 punonjës më shumë se në vitin 2023 – hera e parë që numri i të punësuarve që marrin ndihmë shtesë është rritur që nga viti 2015, kur më shumë se një milion refugjatë nga Siria hynë në vend.
Helena Steinhaus, themeluese e grupit të fushatës “Sanktionsfrei” (Pa Sanksione), i cili mbështet njerëzit që marrin ndihma, thotë se këto rritje të vogla të pagesës minimale nuk mjaftojnë, kur shihen çmimet dhe qiratë në vitet e fundit. Për shembull, qiraja mesatare për një apartament në Gjermani u rrit me 4.7 përqind vitin e kaluar, ndërsa në Berlin u rrit mesatarisht me 8.5 përqind.
Top Channel