
Postieri shqiptar në Firence, i cili u akuzua më herët nga vetë Berisha si patronazhistë i Partisë Socialiste dhe për keqpërdorim të të dhënave personale të emigrantëve shqiptarë, është rikthyer sërish në emisionin investigativ Fiks Fare.
Në një intervistë të re, ai hedh akuza të forta për trajtim të pabarabartë dhe mungesë hetimi ndaj rasteve të tjera të ngjashme.
Sipas tij, ekzistojnë edhe postierë të tjerë në Itali që kanë publikuar në rrjetet sociale – konkretisht në Facebook – foto ku mbajnë në duar zarfe që përmbajnë fletë votimi nga zgjedhjet e fundit. “Pse vetëm unë u bëra lajm? Pse nuk po merren edhe me të tjerët?”, pyet ai gjatë intervistës, duke sjellë një rast konkret të një postieri tjetër, i cili sipas tij ka postuar foto me figura politike të njohura, përfshirë Sali Berishën dhe La Civitèn , ndërkohë që ka shpërndarë gjithashtu fletë votimi.
“Unë u përmenda në media, u hetova, më vendosën në shënjestër. Por ka të tjerë që e kanë bërë të njëjtën gjë dhe nuk ka asnjë hetim ndaj tyre”, shprehet ai.
Gazetarët e Fiks Fare kontaktuan gjithashtu me postierin tjetër të përmendur në këtë rast. Ky i fundit konfirmoi se ka postuar foto me zarfa dhe materiale zgjedhore, por sipas tij, fotot janë publikuar “për qejf” dhe nuk kanë pasur asnjë qëllim të keq apo përfshirje politike. Ai deklaroi gjithashtu se ndaj tij nuk është nisur asnjë hetim dhe askush nga autoritetet italiane apo shqiptare nuk e ka kontaktuar lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë që denoncuesi është denigruar, akuzuar ,kërcënuar se nxori në Facebook-un e tij foto të fletëve të votimit gjatë shpërndarjes. Vetë krerë të PD-së hodhën një lumë akuzash duke e quajtur një skemë të manipulimit të votave të emigrantëve.
Ky zhvillim ngre pikëpyetje mbi mënyrën sesi trajtohen rastet e dyshuara të ndikimit në votën e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit dhe nëse ka një zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë personat e përfshirë.
Ndërkohë, çështja vijon të jetë në vëmendjen e opinionit publik, sidomos në prag të diskutimeve të reja mbi votën e emigrantëve dhe sigurinë e procesit zgjedhor jashtë kufijve të Shqipërisë.
Top Channel