
Wimbledon-i, një nga ngjarjet më prestigjioze të sportit botëror, është gjithmonë një pikëtakim për yjet e famshëm nga e gjithë bota.
Një moment i pazakontë ndodhi gjatë ndeshjes së zhvilluar në fushën qendrore mes Novak Djokovic dhe Flavio Cobolli, kur vëmendja e publikut u zhvendos nga loja në tribunë.
Gjatë barazimit të setit të parë, kamerat fokusuan aktorin e njohur britanik Hugh Grant, i cili ndodhej në mesin e spektatorëve.
Ajo që u vu re menjëherë ishte fakti se aktori, i ulur me syze dielli, dukej qartësisht në gjumë. Momenti nuk u shpëtoi as kamerave televizive, e as syrit të publikut, dhe pamjet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale.
Pavarësisht përpjekjeve të syzeve të diellit për të fshehur situatën, përdoruesit e rrjeteve sociale u treguan të shpejtë në komentet dhe reagimet e tyre. Shumë ndanë meme dhe komente humoristike, duke e parë situatën si një “moment klasik britanik”.
Në internet, momenti u prit me sportivitet dhe humor. “Kur edhe tenisi i Wimbledon-it nuk mund të të mbajë zgjuar…”, shkroi një përdorues në Twitter.
Të tjerë e quajtën një nga momentet më “njerëzore” të këtij edicioni, ndërsa disa e përmendën me ironi lodhjen që mund të ketë ndjerë aktori pas ndonjë nate të gjatë.
Top Channel