
Kryeministri britanik, Keir Starmer njoftoi sot një marrëveshje me qeverinë franceze për një program shkëmbimi emigrantësh, një program që do të hyjë në fuqi në “javët e ardhshme”.
“Jam i kënaqur të njoftoj sot marrëveshjen tonë për një program pilot inovativ, për herë të parë, emigrantët që mbërrijnë me anije të vogla do të kapen dhe më pas do të kthehen shpejt në Francë”, tha Kryeministri britanik, duke shtuar se “në këmbim të çdo kthimi, një person tjetër do të jetë në gjendje të mbërrijë nëpërmjet një rruge të kontrolluar dhe ligjore”.
Vetëm njerëzit “që nuk kanë tentuar të hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar” do të jenë të kualifikuar për këtë shkëmbim, tha ai gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili është në një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.
Nga ana e tij, presidenti francez deklaroi se një numër rekord emigrantësh të parregullt kaluan Kanalin Anglez, i cili ndan Britaninë nga Europa kontinentale, me anije këtë vit, gjë që tregon se Brexit nuk ka çuar në një kontroll më të rreptë të kufijve britanikë.
Ndërsa mbështetësit e Brexit thanë se dalja nga Bashkimi Evropian do t’i jepte Britanisë kontroll më të madh mbi kufijtë e saj, ndodhi e kundërta, tha Macron, duke thënë se votuesit britanikë u mashtruan.
Top Channel