
Regjimi i udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, zakonisht nuk i përgjigjet pretendimeve për abuzim të bëra nga dezertorët (persona që braktisin ushtrinë) e Koresë së Veriut.
Një dezertore nga Koreja e Veriut po ngre padi civile dhe penale kundër udhëheqësit të vendit Kim Jong Un për abuzime me të cilat është përballur ndërsa ishte e ndaluar në vend.
Choi Min-kyung iku nga Veriu në Kinë në vitin 1997, por u riatdhesua me forcë në vitin 2008. Ajo tha se ishte abuzuar seksualisht dhe torturuar pas kthimit të saj.
Kur ajo ta paraqesë çështjen në Seul, do të jetë hera e parë që një dezertor i lindur në Korenë e Veriut ndërmerr veprime ligjore kundër regjimit, tha një grup i të drejtave të njeriut me seli në Jug që ndihmon znj. Choi.
Gjykatat e Koresë së Jugut në të kaluarën kanë vendosur kundër Koresë së Veriut për pretendime të ngjashme nga koreano-jugorët, por vendime të tilla janë kryesisht simbolike dhe injorohen nga Pheniani.
Në çështje përmenden Kim dhe katër zyrtarë të tjerë të Phenianit. Grupi i të drejtave të njeriut, Qendra e të Dhënave për të Drejtat e Njeriut në Korenë e Veriut (NKDB), thotë se gjithashtu planifikon ta çojë çështjen e znj. Choi në Kombet e Bashkuara dhe në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
Sipas BBC, Choi iku përsëri nga Koreja e Veriut në vitin 2012 dhe u vendos në Jug. Ajo tha se trauma psikologjike nga kjo përvojë e vështirë mbetet dhe se ajo vazhdon të mbështetet te ilaçet.
Për vite me radhë, grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë dokumentuar shkelje të dyshuara të të drejtave të njeriut nga Koreja e Veriut, duke filluar nga abuzimi i të burgosurve politikë deri te diskriminimi sistematik bazuar në gjini dhe klasë.
Top Channel