Francë, dy gra që përhapën lajmin se Brigitte Macron kishte lindur burrë lirohen nga akuzat

10/07/2025 17:43

Gjykata e Apelit e Parisit liroi sot nga akuzat dy gra që përhapën thashethemin në internet se Brigitte Macron, gruaja e presidentit francez, kishte lindur burrë, një “lajm i rremë” që u bë viral në të gjithë botën, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara.

Natasha Rey dhe Amandine Roy, të cilat u shpallën fajtore në një gjyq të shkallës së parë, u liruan sot nga 18 nenet që zonja e parë franceze dhe vëllai i saj kishin apeluar kundër tyre. Vetëm një paragraf, që i referohet “rrëmbimit të një të mituri”, shkel ligjin e shtypit, por gjykata i liroi ato edhe nga kjo, duke marrë parasysh se ato vepruan me mirëbesim.

“Do të shohim çfarë do të bëjmë me klientët e mi, por padyshim që nuk jemi dakord” me vendimin, komentoi Jean Hénoqui, avokati që përfaqëson Brigitte Macron.

“Natasha Rey u persekutua, u dënua, por në fund u lirua nga akuzat”, tha avokati i të pandehurës, François Dangléan, duke iu drejtuar rreth 30 mbështetësve të gruas së re.

Në gjyqin e parë, në shtator, dy gratë u dënuan me një gjobë me kusht prej 500 eurosh dhe u urdhëruan të paguanin kompensim prej 8,000 eurosh për Brigitte Macron dhe 5,000 euro për vëllain e saj, Jean-Michel Tronier. Në zemër të çështjes ishte një “lajm” i sajuar që ka qarkulluar në mediat sociale që nga viti 2017, viti kur Emmanuel Macron u zgjodh president i Francës. Sipas këtij thashethemi, Brigitte Macron, patronimi i së cilës është Tronier, “nuk ka ekzistuar kurrë”, por vëllai i saj, Jean-Michel Tronier, ndryshoi gjininë dhe mori këtë emër.

Të dyja gratë e përhapën thashethemin në vitin 2021, nëpërmjet një “interviste” në të cilën Amadin Roy, e cila pretendon të jetë një “medium”, e pyeti të dytën, “gazetaren e pavarur autodidakte” Natasha Rey, në kanalin e saj në YouTube, se si e zbuloi këtë “mashtrim”, “gënjeshtrën shtetërore”. Ato treguan foto të Brigitte Macron dhe familjes së saj, përmendën operacionet që supozohet se i janë nënshtruar Jean-Michel Tronier, pretenduan se ajo nuk është nëna e tre fëmijëve të saj dhe dhanë informacione personale për vëllain e saj.

Shumë politikane femra në mbarë botën kanë rënë viktimë e informacionit të rremë me natyrë transfobike, mes tyre ish-zonja e parë e SHBA-së Michelle Obama, ish-nënpresidentja e SHBA-së Kamala Harris dhe madje edhe ish-kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern.

Top Channel