Fatura pas luftës, kryeministri ukrainas: Vendit i duhen 1 trilion dollarë për tu rindërtuar

10/07/2025 17:58

Riparimi i dëmeve të shkaktuara nga më shumë se tre vjet luftë me pushtuesit rusë do të kushtojë më shumë se 1 trilion dollarë gjatë një periudhe 14-vjeçare, tha sot kryeministri ukrainas Denys Shmyhal në një fjalim online në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës në Romë.

Kryeministri ukrainas tha se Kievi po shqyrton krijimin e dy fondeve me vlerë rreth 1 trilion dollarë.

Një fond do të menaxhohet nga Kievi dhe duhet të financohet nga asetet ruse të sekuestruara jashtë vendit me vlerë 540 miliardë dollarë, ndërsa një i dytë – me vlerë 460 miliardë dollarë – do të financohet nga investitorë privatë, tha ai.

Shmyhal u bëri thirrje aleatëve të vendit të ndajnë fonde shtesë për të mbuluar deficitin në buxhetin e Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027.

Në kushte paqeje dhe duke përjashtuar prodhimin e armëve, mirëmbajtja e ushtrisë ukrainase kushton rreth 50 miliardë euro në vit, tha ai, duke shtuar se Ukraina po llogarit që 50% e kësaj shume të vijë nga Bashkimi Evropian.

Ukraina ka luftuar pushtuesit rusë që nga shkurti i vitit 2022. Më shumë se gjysma e buxhetit të saj financohet nga jashtë.

Para luftës, vendi ishte më i varfëri në Evropë, sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Top Channel