“Aleanca e të Gatshmëve” për mbrojtjen e Ukrainës do funksionojë në Paris, Macron dhe Starmer: Duhet të rrisim presionin ndaj Rusinë

10/07/2025 19:35

Selia e “Aleancës së të Gatshmëve”, vendet që janë zotuar të garantojnë sigurinë e Ukrainës pas arritjes së një armëpushimi me Moskën, tani do të funksionojë në Paris, njoftoi sot kryeministri britanik Keir Starmer.

“Planet janë gati dhe ne po i integrojmë ato në një perspektivë afatgjatë, me një seli të re në Paris, e cila është tashmë funksionale”, tha Starmer në një video-konferencë me anëtarët e aleancës.

Siç sqaroi Downing Street, brenda dymbëdhjetë muajsh kjo seli do të transferohet në Londër, ndërsa ka edhe plane për një qendër koordinimi në të ardhmen në Kiev.

Përgatitjet për një armëpushim në Ukrainë duhet të vazhdojnë për të siguruar që “një forcë të mund të vendoset menjëherë pas ndërprerjes së armiqësive”, shtoi ai.

Në ditën e tretë të vizitës zyrtare të Presidentit Francez Emmanuel Macron në Britani, të dy udhëheqësit morën pjesë në një video-konferencë të “koalicionit të të Gatshmëve”, ku biseduan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, udhëheqës të vendeve të tjera dhe të dërguar të SHBA-së, përfshirë të Dërguarin Special Presidencial Gjeneral Keith Kellogg dhe senatorët Lindsey Graham dhe Richard Blumenthal.

Tre amerikanët, të cilët janë në favor të vendosjes së sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë, ishin në Romë, ashtu si Zelensky, për një konferencë mbi rimëkëmbjen e Ukrainës të organizuar nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Starmer dhe Macron bënë thirrje për rritje të “presionit” ndaj Rusisë për të arritur një armëpushim.

“Ne duhet t’i drejtojmë përpjekjet tona drejt përgatitjes së paqes, duke e detyruar Putinin të ulet në tryezën e negociatave. Ky presion i koordinuar do të sjellë një ndryshim”, tha Keir Starmer.

“Ne padyshim kemi nevojë për diçka të re për të intensifikuar presionin e ushtruar ndaj Rusisë”, komentoi presidenti francez, duke iu referuar planeve të BE-së dhe SHBA-së për sanksione të reja.

Top Channel