Vrasja e Agon Zejnullahut/ Presidentja Osmani kërkon transparencë të plotë për ngjarjen: Askush nuk është mbi ligjin!

09/07/2025 13:00

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kërkonr transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi pakompromis sa i takon rrethanave të vdekjes 27-vjeçarit në Lipjan, që humbi jetën gjatë arrestimit prej policisë.

Pesë efektivë kanë përfunduar në pranga për episodin shokues të 7 korrikut, që solli ndërmend vdekjen e 46 vjeçarit afrikano-amerikan George Floyd, kur polici i bardhë Derek Chauvin, e mbajti gjurin mbi qafën e tij për 8 minuta dhe 46 sekonda. Sipas policisë në Kosovë i riu i identifikuar si Agon Zejnullahu, dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit, ka sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit dhe nuk është treguar bashkëpunues.

“Të gjitha rrethanat e këtij rasti duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe profesionale dhe secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë. Askush nuk është mbi ligjin”, është cituar të ketë thënë Osmani sipas një deklarate të lëshuar nga Presidenca. Më herët gjatë ditës, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal dhe se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut, do të marrë dënimin e merituar.

Edhe Albin Kurti ka kërkuar “hetim të thellë dhe sa më të shpejtë që zbardh të vërtetën e plotë dhe i bën të njohura të gjitha rrethanat. “Nuk do të ketë strehë në institucione apo nga institucionet për këdo që mund të tejkaluar kompetencat apo të ketë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare”, deklaroi kryeministri.

Top Channel