Të paktën 3 të vdekur nga përmbytjet në New Mexico, dhjetëra të bllokuar nëpër shtëpi dhe makina

09/07/2025 16:30

Shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje të menjëhershme të martën në shtetin jugperëndimor të SHBA-së, New Mexico, duke lënë të paktën tre viktima, përfshirë dy fëmijë të vegjël, dhe duke bllokuar dhjetëra persona në shtëpitë dhe makinat e tyre në vendpushimin Ruidoso.

Lajmin e konfirmuan një zyrtar i emergjencave shtetërore dhe autoritetet lokale. Sipas njoftimit nga vetë faqen e tij zyrtare, viktimat përfshijnë dy fëmijë të moshës katër dhe shtatë vjeç, si dhe një burrë, të cilët u rrëmbyen nga ujërat e rrëmbyeshme dhe më pas u gjetën të vdekur.

Pamjet dramatike të shpërndara në rrjetet sociale dhe të transmetuara nga mediat tregojnë një shtëpi të tërë që rrëzohet nga themelet dhe merret nga ujërat e turbullta dhe të mbushura me baltë të lumit Ruidoso, duke shkatërruar gjithçka.

“Nuk e dimë nëse kishte ndokënd brenda në atë shtëpi,” tha Danielle Silva, zëdhënëse e Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe Menaxhimit të Emergjencave të New Mexico-s, pas shikimit të videos.

Ekipet e shpëtimit, të mbështetura nga forcat lokale të rendit dhe Garda Kombëtare, kryen të paktën 85 operacione shpëtimi në ujë në dhe përreth zonës së Ruidoso-s. Shumë prej këtyre operacioneve përfshinin njerëz të bllokuar në makina apo në shtëpi, ndërsa niveli i ujit vazhdonte të rritej.

Silva shtoi se lumi u ngrit me shpejtësi të madhe, duke arritur një lartësi prej 6.2 metrash në kulmin e tij — një rekord i lartë sipas të dhënave paraprake. Ndërsa ujërat filluan të tërhiqeshin në mbrëmje, autoritetet nisën kërkimet për të mbijetuarit.

Këto përmbytje vijnë vetëm katër ditë pas një tjetër fatkeqësie të shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm në lumin Guadalupe në Teksas, ku humbën jetën të paktën 109 persona dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Ruidoso është një vendpushim i njohur veror dhe destinacion popullor për ski në vargmalin Sierra Blanca, në pjesën jug-qendrore të New Mexico-s, rreth 185 kilometra në jug të qytetit më të madh të shtetit, Albuquerque.

Top Channel