
Lehja e një qeni në mes të natës shpëtoi jetën e 67 personave në një fshat në Himalaje përpara se një rrëshqitje masive dheu të shkatërronte shtëpitë e tyre.
Ngjarja ndodhi pas mesnatës në fshatin Siyathi, i vendosur në shtetin indian të Himachal Pradesh. Sipas familjes së tij, qeni filloi të lehte pikërisht kur shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan shembjen e një rrëshqitjeje dheu, duke shkatërruar dhjetëra shtëpi.
“U zgjova nga lehjet. Kur shkova drejt tij, pashë një çarje të madhe në murin e shtëpisë dhe uji kishte filluar të hynte. Vrapova poshtë me qenin dhe i zgjova të gjithë. Ai vrapoi derë më derë, duke njoftuar fshatarët. Brenda pak minutash, shtëpitë e tyre u përfshinë nga balta dhe mbeturinat.”, u shpreh një banor.
Rrëshqitja e tokës e shkaktuar nga musonet e rrafshoi plotësisht zonën, me vetëm disa shtëpi që kishin mbetur në këmbë.
Të mbijetuarit shprehën mirënjohjen e tyre për qenin, të cilin familja e kishte adoptuar vetëm pak javë më parë.
Top Channel