
Një palestinez që punonte për BE-në në Gaza i është drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pasi mbyllja e zyrës së tij e la atë në Kajro pa punë ose të drejta qëndrimi.
Mohammed Baraka, i cili shërbeu në misionin e ndihmës kufitare të BE-së në Rafah në Gazën jugore dhe u evakuua në Egjipt kur shpërtheu lufta, ka akuzuar zyrtarët e Brukselit se e kanë shkarkuar “ftohtë” nga puna me anë të email-it dhe kanë “braktisur” një punonjës besnik.
Ai tani nuk ka asnjë mënyrë për t’u kthyer në Gaza, por gjithashtu nuk ka të drejtë të qëndrojë në Egjipt dhe asnjë mundësi për të shkuar diku tjetër sepse, nuk ka dokumente për shkak të evakuimit të nxituar në vitin 2023.
Në një letër drejtuar von der Leyen, Baraka i është lutur asaj të ndërhyjë dhe të anulojë vendimin, duke thënë se ai “nuk ishte konsultuar ose paralajmëruar” se do të pushohej nga puna pas gati dy dekadash pune për BE-në.
“Si mund ta justifikojë Bashkimi Evropian braktisjen e një punonjësi? Nuk po kërkoj lëmoshë. Po kërkoj drejtësi”, thuhet në letrën e tij që mban datën 22 qershor.
Më tej në kërkesën e tij thuhet “Kjo nuk është vetëm një çështje punësimi. Është një çështje e të drejtave të njeriut, dinjitetit dhe përgjegjësisë morale. Nëse BE-ja mund të shkarkojë një anëtar të stafit në këto kushte, çfarë mesazhi u dërgon kjo të gjithë atyre që besojnë në vlerat që BE-ja pretendon se mbron?”
Baraka shërbeu në misionin e ndihmës kufitare të BE-së (EUBam) në Rafah pas krijimit të tij në vitin 2006 si një prani civile e paarmatosur e palës së tretë në kufirin midis Gazës dhe Egjiptit për të ndihmuar në administrimin e kalimeve kufitare.
Top Channel