
Në një kohë kur e gjithë bota është e mbërthyer pas ekranit, një studim i fundit vjen si një fllad ndryshe: dy javë pa internet në telefon mjaftojnë për të përmirësuar ndjeshëm shëndetin mendor, gjumin dhe disponimin emocional.
Në vend që të shohim në TikTok për zgjidhje të ankthit, ndoshta çelësi është thjesht të fikim internetin për një kohë.
Një eksperiment i realizuar nga Universiteti i Loughborough në Britani, i publikuar në BMC Medicine, përfshiu 111 të rinj që u ndanë në dy grupe. Grupi i parë uli përdorimin e internetit në telefon në më pak se dy orë në ditë për tre javë. Rezultatet ishin befasuese: niveli i depresionit ra ndjeshëm, stresi u reduktua dhe cilësia e gjumit u përmirësua ndjeshëm.
Po pse funksionon kjo?
Kur ne përdorim internetin në telefon pa pushim, truri ynë ekspozohet ndaj një rrufeje të pandalshme stimujsh, krahasimesh dhe shpërqendrimesh. Kjo sjell një rritje të kortizolit, hormonit të stresit, dhe krijon varësi psikologjike. Duke shkëputur veten nga ky rrjet virtual për dy javë, trupi dhe mendja kthehen në një gjendje më të natyrshme dhe të qetë.
Pjesëmarrësit raportuan se kishin më shumë kohë për gjëra reale: për të lexuar libra, për të bërë ecje në natyrë, për të biseduar me familjen apo për t’u marrë me hobi të harruara. Një tjetër studim nga Gjermania vërtetoi se ky ndryshim sjell rritje të fokusit, kreativitetit dhe vetëbesimit personal.
Pra, a është koha që të provojmë të njëjtin eksperiment? Po. Vendos për dy javë të kufizosh internetin në telefon dhe shëno çdo ditë si ndihesh. Mund të zbulosh se mirëqenia jote ka më pak lidhje me lajmet, mesazhet dhe rrjetet sociale, dhe shumë më tepër me përvojat e heshtura që të rrethojnë. Ky është një ritual i thjeshtë, pa kosto, por me ndikim që zgjat shumë më tepër se dy javë. Dhe në fund, ndoshta s’do të kthehesh më te vesi i vjetër i scroll-it pafund./ TAR
Top Channel