
Policia bashkiake në Durrës ka nisur ndërhyrjen për lirimin e hapësirave publike në trotuaret e qytetit.
IMT e bashkisë dhe punonjësit e Policisë Bashkiake Durrës kanë ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave publike të zëna nga lokalet e shumta përgjatë bulevardit “Epidamn”, në zonën pranë “Velierës” dhe hyrje të qytetit. Ndërhyrja ka nisur mbrëmjen e djeshme dhe ka vijuar edhe sot, ndërsa edhe subjektet kanë nisur të heqin vetë tavolinat që kanë zaptuar trotuaret duke cenuar sigurinë e këmbësorëve.
Ky aksion vjen pas mesazheve të forta nga kryeministri Edi Rama, i cili pritet të vizitojë qytetin e Durrësit pasditen e sotme. Përdorimi i paligjshëm i hapësirave publike, që Kryeministri i ka cilësuar më herët si “tokë e xanun” ka vënë në lëvizje strukturat lokale, pasi këto shkelje nuk janë të reja. Prania e tavolinave, karrigeve, tendave dhe elementëve të tjerë në trotuare e sheshe publike është konstatuar prej kohësh nga qytetarët, por ka munguar një reagim deri tani.
Edhe më parë ka pasur aksione, po pastrimet e trotuareve nuk kanë zgjatur në kohë, duke e kthyer zaptimin e rrugëkalimeve publike në fenomen të zakonshëm në të gjitha lagjet e qytetit bregdetar dhe jo vetëm në qendër e hyrjen e tij.
Top Channel