
Tepelena ishte ndalesa e radhës e spektaklit të humorit “Verë dhe Portokalle”.
Qindra qytetarë shijuan shfaqjen e aktorëve, që i kanë ndjekur çdo të diel në mbrëmje në ekranin e Top Channel. Të qeshurat që u dhuruan artistët, publiku i shoqëroi me duartrokitje.
Të emocionuar nga spektakli live, memorizuan mbrëmjen duke shkrepur foto me aktorët e preferuar.
Artistët e “Portokalli”, shprehen se turi veror, i shndërruar tashmë në traditë u fal shumë dashuri, ndërkohë që ndalesa në Tepelenë ishte e veçantë për Cubi Metkajn dhe Deivis Myslymin, që performuan në qytetin e lindjes.
“Tepelena ishte fantastike, një atmosferë e mrekullueshme, unë veçanërisht isha shumë e emocionuar, isha në vendlindje natyrisht. Uroj shumë që kështu të jetë edhe në qytetet e tjera, mos mungoni sepse është një shfaqje fantastike, një spektakël që duhet ta përjetoni”, tha Cubi Metkaj, aktore e “Portokalli”.
“Tepelena, vendi ku unë u linda dhe u rita, ishte një emocion i madh për mua, sepse e kam pasur ëndërr që i vogël që të performoja para njerëzve të mi”, u shpreh Deivis Myslymi, aktor i “Portokalli”.
Destinacioni i radhës i “Verë dhe Portokalle” është në Gjirokastër, për të vijuar me qytetet e tjera të vendit, nga veriu në jug.
Top Channel