
Irani është gati të rifillojë bisedimet me SHBA-në mbi të ardhmen e programit të tij bërthamor, tha presidenti iranian, Masoud Pezeshkian.
Në një intervistë për gazetarin amerikan Tucker Carlson, Pezeshkian tha se infrastruktura bërthamore e vendit të tij ishte “dëmtuar rëndë” nga sulmet e SHBA-së ndaj vendit të tij.
Ai shtoi se Irani mund t’i zgjidhë mosmarrëveshjet me SHBA-në përmes dialogut, por besimi do të ishte një problem pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit.
“Unë besoj se ne mund t’i zgjidhim shumë lehtë mosmarrëveshjet dhe konfliktet tona me Shtetet e Bashkuara përmes dialogut dhe bisedimeve“, tha ai.
Gjatë intervistës, Pezeshkian akuzoi gjithashtu Izraelin për përpjekjen për ta vrarë atë gjatë një takimi strategjik të zyrtarëve iranianë.
“Po, ata u përpoqën dhe vepruan në përputhje me rrethanat, por dështuan“, tha ai në përgjigje të një pyetjeje nëse besonte se Izraeli ishte përpjekur ta vriste.
Megjithatë Pezeshkian nuk dha detaje rreth atentatit.
Top Channel