Vatrat e reja dhe ato të mbetura aktive, kanë bërë që situate e zjarreve në vendin tonë të jetë problematike.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 24 vatra zjarri në vend, 6 prej të cilave nuk është bërë e mundur ende shuarja e flakëve.

Është vendgrumbullimi I mbetjeve në Elbasan sipas përditësimit më të fundit të situatës, Ministrisë së Mbrojtjes, që vijon të jetë nën flakë. Ndërsa është punuar kryesisht me hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve, një grup ekspertësh është stacionuar në terren për matjen e ndotjes së ajrit.

Në monitorim janë dhe vatrat e tjera aktive në zonën midis fshatit Grazhdan dhe fshatit Malçan të bashkisë së Finiqit dhe “Sotiran” një sipërfaqe me shkurre dhe ferra ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat. Në fshatin Zgërbonjë të Bashksië Polican si dhe në zonat malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj të Bashkisë Has dhe në Vaqarr në Tiranë terreni i vështirë po vështirëson shuarjen e flakëve.

Sipas ministrisë, zjarret janë përhapur kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, duke shkaktuar dëmtimin e rreth 7 hektarëve tokë. Në disa raste, flakët kanë rrezikuar edhe banesa, duke shkaktuar dëme materiale.Në Tiranë, Vorë dhe Korçë,  dy banesa dhe një ndërtesë, janë përfshirë nga zjarri duke shkaktuar dëme materiale.

Rrezikut nga zjarret, në shumicën e qarqeve pritet nivel “I LARTË” kryesisht në qarqet Durrës, Korçë dhe Vlorë.

Por përballë rreziqeve të tilla shqiptarët vijojnë të mos marrin asnjë masë për sigurimin e pronës së tyre nga fatkeqësitë natyrore. Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se primet e shkruara bruto nga sigurimi prej zjarrit, forcat e natyrës dhe dëmtimet e tjera në pronë, kanë zbritur në 1.1 miliardë lekë në pesëmujorin e parë. Të ardhurat e kompanive të sigurimit nga kjo policë kanë pësuar një rënie me 6.48% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër edhe dëmet e paguara për këto raste të ndodhura arriti në 177 milionë lekë dëme në pesë muajt e parë të 2025, rreth 53% më pak se në janar-maj 2024.

Top Channel