
Shqetësimet e shprehura publikisht prej misionit të OSBE-së në Kosovë lidhur me raportimet për hyrjen e tretë të paautorizuar nga Nikolla Xhufka në Kishën Ortodokse Serbe afër Podujevës, kanë marrë përgjigjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës.
Në deklaratën e saj, sqarohet fare qartë se ky institucion fetar, legjitim dhe kanonik i udhëhequr nga kryepeshkop Nikolla, vepron në përputhje të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës dhe me kanonet e shenjtë të Kishës Ortodokse.
“Deklaratat që e paraqesin praninë tonë në objekte të shenjta si hyrje të paautorizuara, janë jo vetëm të pabaza, por edhe shumë të dëmshme”, nënvizohet në reagim.
“Kisha në fjalë, vazhdon deklarata, është nën kujdesin tonë pastoral-kanonik, dhe për çështjet e saj të pronësisë ekzistojnë dokumente zyrtare që vërtetojnë se objekti në fjalë është pronë e Qeverisë së Kosovës, dhe jo e Kishës Ortodokse Serbe. Ka dëshmi të qarta ligjore dhe dokumentacion pronësie që përgënjeshtron plotësisht pretendimet serbe”, thuhet më tej.
Ndërkohë, pohohet po kështu se automjete të ministrisë serbe të mbrojtjes kanë ndjekur në mënyrë të përsëritur kryepeshkopin, madje edhe gjatë udhëtimeve të tij për trajtim shëndetësor jashtë vendit, çka përbën kërcënim direkt ndaj sigurisë personale të tij dhe lirisë fetare.
OSBE-ja kishte dalë me deklaratën se veprimet e raportuara minonin sipas saj të drejtat e bashkësive të njohura fetare për të menaxhuar lirisht vendet e tyre të adhurimit, ndërsa kujtonte se Kisha Ortodokse Serbe, ashtu si të gjitha bashkësitë fetare në Kosovë, ka të drejtë për mbrojtje sipas ligjit.
Top Channel