
Një nga kriminelët më të rrezikshëm dhe të kërkuar në Suedi, Ismail Abdo, është arrestuar në Turqi gjatë një operacioni të madh policor ku u sekuestruan mbi 1 ton drogë dhe pasuri me vlerë rreth 38 milionë dollarë.
I njohur me nofkën “Luleshtrydhja” (The Strawberry), 35-vjeçari është lideri i bandës famëkeqe Rumba, e cila është e përfshirë në një valë dhune dhe trafiku droge që ka tronditur qytetet suedeze dhe ka çuar në përplasje të armatosura mes grupeve rivale.
Abdo, me shtetësi të dyfishtë suedeze dhe turke, është nën hetim prej vitesh për trafik të organizuar droge dhe nxitje të krimeve të dhunshme. Ai ishte objekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar nga Interpol, ndërsa besohet se ka drejtuar aktivitetet kriminale nga jashtë vendit.
Arrestimi i tij ndodhi gjatë një serie bastisjesh në Turqi, ku autoritetet sekuestruan gjithashtu 20 automjete luksoze, 51 prona, llogari bankare dhe pasuri të tjera. Së bashku me të, u ndaluan edhe 18 persona të tjerë, ndërsa ndaj 21 të tjerëve janë lëshuar urdhër-arreste.
Bandat kriminale në Suedi janë përfshirë në një luftë të egër për territore, ku përplasja më e ashpër ka qenë mes grupit Rumba dhe rivalëve të tyre, banda Foxtrot, e udhëhequr nga dikur miku i ngushtë i Abdos, Rawa Majid. Dhuna mes tyre kulmoi në vitin 2023 kur nëna e Abdos u vra në shtëpinë e saj në qytetin Uppsala.
Autoritetet suedeze janë përballur me kritika të ashpra për mënyrën si kanë trajtuar valën e dhunës, që ka përfshirë edhe të mitur dhe zona periferike që dikur njiheshin për qetësi. Për herë të parë, qeveria suedeze ka angazhuar ushtrinë për të ndihmuar policinë në luftën kundër bandave.
Në vitin 2024, Abdo ishte arrestuar një herë në Turqi gjatë një ndalese rutinë në trafik, por ishte lënë i lirë me kusht, pavarësisht urdhrit të Interpolit, një vendim që nxiti zemërim në Suedi.
Tani që ai është sërish nën pranga, procesi i ekstradimit mund të komplikohet për shkak të shtetësisë së tij turke, duke testuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve në luftën kundër krimit ndërkombëtar.
Sipas një raporti të policisë suedeze, rreth 14,000 persona janë pjesë aktive e bandave kriminale, ndërsa 48,000 të tjerë kanë lidhje të drejtpërdrejta me to – një realitet që ka tronditur imazhin e vendit si një ndër më të sigurtit në Evropë.
Top Channel