
Italia vijon të përballet me një valë të paprecedentë të të nxehtit, me temperatura që arrijnë deri në 40-41°C në disa rajone dhe me një ndjesi përvëluese lagështie që e bën jetesën thuajse të padurueshme.
Asfalti “shkrihet”, ndërsa punëtorët në ambiente të hapura përballen me kushte të rrezikshme për shëndetin.
Deri më tani, janë raportuar tre viktima nga i nxehti: dy në Sardenjë dhe një në Xhenova. Për shkak të situatës alarmante, INPS (Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore) u ka komunikuar kompanive se mund të kërkojnë kompensime për ndërprerjen e punës për shkak të kushteve ekstreme, në rastet kur temperaturat kalojnë 35°C.
Në Milano, për të përballuar valën e të nxehtit, autoritetet kanë vendosur që në tarracat e famshme të Duomo-s të ngrihet një qendër mjekësore emergjente për turistët, nga data 1 korrik deri më 15 shtator, çdo ditë nga ora 12:00 deri në 17:00 – në orët më kritike të ditës.
Sot, 20 qytete italiane janë në nivelin maksimal të alarmit të kuq për të nxehtin. Megjithatë, nga fundjava pritet një përmirësim i pjesshëm i situatës në Veri të vendit, ku priten reshjet e para dhe një ulje e ndjeshme e temperaturave. Në Qendër dhe Jug, klima do të mbetet për momentin e qëndrueshme dhe me diell.
Por vala e të nxehtit nuk po kufizohet vetëm në Itali. E gjithë Europa Jugore po vuan nga temperaturat ekstreme. Në Spanjë, mbi 100 persona kanë humbur jetën nga e shtuna për shkak të të nxehtit, ndërsa në Greqi situata është dramatike: ishulli i Kretës është përfshirë nga zjarre masive të nxitura nga erërat e forta, duke detyruar evakuimin e banorëve dhe turistëve, përfshirë edhe shtetas italianë.
Autoritetet paralajmërojnë qytetarët të shmangin qëndrimin në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë shumë ujë dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta. Vapa ekstreme pritet të zgjasë edhe për disa ditë në pjesën më të madhe të rajonit.
Top Channel