
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha sot se shpreson për një “stabilitet pozitiv” në marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit, në një telegram që i dërgoi homologut të tij amerikan Marco Rubio me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.
“Ju kërkoj t’i përcillni urime të sinqerta popullit amerikan me rastin e festës kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të shprehni mbështetjen e Federatës Ruse në aspiratat e tyre për unitet dhe realizimin e ëndrrës tradicionale amerikane”, tha Lavrov në mesazh, i cili u citua në një deklaratë nga diplomacia ruse.
“Shpresoj që falë përpjekjeve tona të përbashkëta, marrëdhëniet midis vendeve tona do të kenë një stabilitet dhe parashikueshmëri pozitive të bazuar në respekt të ndërsjellë dhe duke marrë parasysh interesat e ndërsjella kombëtare të përcaktuara nga historia, gjeografia dhe realitetet në terren”, theksoi ai.
Ky njoftim u bë ndërsa presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili ka tentuar një afrim të papritur me Moskën që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, pranoi dje, se nuk kishte bërë “asnjë përparim” drejt përfundimit të konfliktit në Ukrainë, gjatë një bisede të re telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Rusia, ushtria e së cilës tashmë kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, këmbëngul rregullisht që “realitetet në terren” të merren parasysh në çdo negociatë që synon t’i japë fund konfliktit.
Top Channel