Kuzhinieri shqiptar zbulon prapaskenat e vizitës së vajzës së Trump dhe Kushner në Vlorë, rrëfen çfarë konsumuan gjatë drekës

04/07/2025 11:12

Kuzhinieri shqiptar Aldo Mehmeti i cili përgatiti ushqimin për biznesmenin Jared Kushner dhe Ivanka Trump ka rrëfyer për gazetarin e Top Channel, Mikel Marsi prapaskenat e vizitës së tyre në Shqipëri.

Aldo Mehmeti, kuzhinieri i njohur shqiptar, tregon detaje interesante nga ajo ditë, megjithëse asnjë foto nuk u lejua dhe çdo kontakt me median iu ndalua rreptësisht.

Sipas rrëfimit të tij, disa ditë përpara ardhjes së çiftit, restoranti ku ai punon ishte vizituar nga grupe të dyshimta turistësh, të cilët konsumonin diçka të vogël dhe qëndronin aty për pak kohë. Më vonë ai kuptoi se ata ishin pjesë e shërbimeve sekrete, të cilët kontrollonin ambientin dhe masat e sigurisë.

Çifti Kushner-Trump mbërriti në restorant pa paralajmërim të hënën rreth orës 13:00, duke u ulur në verandë, ndërkohë që ambienti kishte edhe klientë të tjerë. Ata kërkuan të konsumonin peshk të freskët dhe zgjodhën Sinagridhën, një nga peshqit më të shtrenjtë në treg, i cili u gatua sipas një recete tradicionale, i mbuluar tërësisht me kripë.

Sipas kuzhinierit, Jared Kushner mbeti shumë i kënaqur me ushqimin, ndërsa shoqëruan vaktin me verë.

Çifti qëndroi aty deri në perëndimin e diellit, ku me lejen e tyre u realizuan disa foto. Megjithatë, Ivanka Trump kërkoi që të gjitha fotot të fshiheshin, përveç asaj që u publikua në rrjetet sociale, e cila sipas Aldos, u lejua vetëm tre ditë më vonë.

Siguria ishte maksimale gjatë gjithë kohës. Rojet ishin të pranishëm në çdo cep, ndërsa fëmijët e çiftit shoqëroheshin nga truproja sa herë që lëviznin brenda restorantit.

“Përveç shërbimit, nuk na u lejua të flisnim me gazetarë apo të jepnim intervista”, përfundon Aldo Mehmeti.

Top Channel