“Do përballeni me penalitete”/ Tjetër ‘ultimatum’ nga Rama: Nuk ka ‘tokë e xanun’, hiqini vetë trarët e parkimeve dhe çadrat…

04/07/2025 18:17

Kryeministri Edi Rama u ka dhënë dy javë kohë subjekteve dhe individëve për të liruar hapësirat publike, ndërsa për shkelësit paralajmëroi penalitete.

Rama tha se hapësira publike, është kthyer në një hapësirë ku ka shumë abuzime, duke filluar nga trarët e parkingjeve të paautorizuara.

“Jemi live këtu, edhe e pashë të arsyeshme t’ju drejtohem ju pasi kemi zhvilluar dy takime, do zhvillojmë edhe një tjetër në Durrës, e më pas pastaj në Fier, e ndoshta në Elbasan dhe në Shkodër. Por në Vlorë e nisëm dje dhe sot në Tiranë vazhduan një takim që nuk u bë i plotë ditën e djeshme për shkak të parlamentit dhe të pamundësisë për një pjesë të skuadrës së Tiranës që të ishin prezent, pasi duhet të qëndronin në parlament, lidhur me muajin që kemi përpara dhe me domosdoshmërinë që deputetët të rikthehen në territor për të mbledhur përfundimisht të gjitha shqetësimet e qytetarëve, por në këto qytete, me një fokus të veçantë tek hapësira publike.

Tek hapësira publike, e cila është kthyer në një hapësirë ku ka shumë abuzivizëm, ka shumë zgjerim të paarsyeshëm të aktiviteteve të ndryshme dhe u ka gjithfarë lloj trarësh, e gjithfarë lloj pengesash të krijuara nga koha që pengojnë seriozisht frymëmarrjen e qetë të lirë të komuniteteve në blloqet e banimit.

Natyrisht, që deputetët, së bashku me drejtuesit dhe me përgjegjësit e sektorëve të ndryshëm në bashki do të shikojnë edhe çështje të tjera që ata i kanë tani parasysh nga fushata, por edhe që do dalin nga komunikimi me njerëzit, por do të jenë dy javë intensive dhe pastaj do të rikthehemi për të vendosur në favor të komunitetit, sepse është bërë e papranueshme dhe e padurueshme për shumë njerëz, për shumë lagje në qytetet e mëdha ushtrimi i forcës, ushtrimi i vullnetit abuziv, edhe patjetër, edhe sy mbyllja e strukturave përkatëse, siç për shembull, është krejtësisht evidente dhe e pajustifikueshme në Vlorë.

Kështu që, duke thënë këto, dua të sqaroj edhe një element tjetër dhe do t’i bëj një thirrje të gjithë atyre që kanë keqkuptuar për fat të keq, prej vitesh, por kjo është një çështje në radhë të parë e pushtetit vendor në këto territore, sensin e pronës së përbashkët dhe të asaj private dhe këtu kam parasysh zhvilluesit, zhvilluesit e pallateve, po themi ndërtuesit e pallateve, që pasi kanë ndërtuar pallatet dhe bashkë me ta dhe ata që kanë lokalet në këto pallate, kanë vazhduar të trajtojnë pronën përreth si pronë private, ndërkohë që ajo nuk është pronë private. Ajo nuk mund të jetë pronë private, ajo është po aq pronë private sa ç’është gjithë shkalla e pallatit, apo sa ç’janë ashensorët e pallateve që i përkasin minimalisht të gjithë atij komuniteti banorësh në atë pallat. Dhe askush nuk ka mbi tokën rreth pallatit dhe mbi hapësirën mes pallateve më shumë të drejta se sa secili prej atyre banorëve dhe secila prej atyre familjeve që janë në ato pallate.

Kështu që ju bëj thirrje të gjithë atyre që zotërojnë të tilla asete që nga trarët që vendosin për t’u marrë lekë për parkim banorëve në mënyrën më abuzive dhe më skandaloze, duke pretenduar që është prona e tyre private, nuk ka pronë private në sa kohë ajo është një pronë e cila ka derivuar nga zhvillimi i ndërtesave rreth e rrotull dhe nuk ka pronë private sa kohë që ajo është një hapësirë ku nuk ka leje për të bërë një aktivitet të caktuar, duke filluar që nga parkimi. Nuk mundet dot të vendosë një tra në qytet me pretendimin se është prona jote dhe ti të marrësh lekë për të lejuar banorët aty apo cilido qoftë tjetër që qasen në atë territor për një arsye vizite, a çfarëdo qoftë, që të paguajnë për të qenë zotër të vendit të vet.

Kështu që u bëj thirrje të gjithëve që të fillojnë t’i heqin vetë këto trarë dhe këto pengesa. U bëj thirrje të gjithë atyre që janë hapur me tenda dhe pastaj i kanë vënë edhe ato mushamatë dhe pas i përdorin edhe për t’i rihapur rrugë pirjes së duhanit nëpër lokale, që të fillojnë t’i çmontojnë vetë, sepse jo vetëm që do t’iu çmontohen, por do të përballen pastaj me gjoba dhe do të përballen edhe deri me ndjekje penale për krim mjedisor dhe për zaptim dhe shkatërrim të pronës publike, kështu që në këto dy javë të gjithë deputetët e Partisë Socialiste, kemi marrë 83 mandate nga ky popull, kemi marrë 19 mandate në Tiranë. Kemi marrë 9 mandate historike në Vlorë, kemi marrë 12 mandate të paarritshme përveçse me një organizim dhe një punë të madhe, po mbi të gjitha, falë një besimi të madh të njerëzve dhe po ashtu kemi marrë 1 mandat më shumë në Shkodër, kemi marrë 2 mandate më shumë në Elbasan dhe të gjitha këto janë detyrime më shumë ndaj atyre njerëzve që na i kanë dhënë dhe nëse disa për fat të keq brenda nesh i shohin 83 mandate si një arsye më shumë për të fjetur gjumë, u them që jo vetëm që e kanë shumë gabim, por duhet të zgjohen një orë e më parë. Sepse ato 83 mandate janë një arsye më shumë për të fjetur dhe më pak se ç’kemi fjetur, kush në fakt nuk ka fjetur, se ka pasur nga ata që kanë fjetur, edhe nuk e kanë prishur gjumin fare për hir të të vërtetës, por kjo është një histori tjetër dhe brenda dy javësh duhet të kemi inventarët e të gjitha zonave në këto qytete. Duhet të kemi inventarët e të gjitha këtyre kleçkave që ia kanë nxirë jetën banorëve në këto qytete që u kanë nxjerrë komuniteteve të moshuarve, prindërve, fëmijëve dhe që i kanë kthyer territore të tëra në ‘’tokë e xanun’’ në mënyrën më të padrejtë, që të bëhemi gati dhe në dy javëshin e dytë të korrikut, do të vazhdojmë pastaj, për të mos u ndalur më me të gjitha forcat e ligjit, me të gjitha inspektoratet, me të gjitha forcat e policive bashkiake dhe policisë shtetit për ta ngritur një herë mirë në hava këtë ‘’shtëpinë’’ tonë të përbashkët”-tha Rama.

Top Channel