Situata me zjarret në vend/ 29 vatra në 24 orët e fundit, në Elbasan dhe Finiq ende aktive! Ministria e Mbrojtjes bën apel: Tregoni kujdes maksimal

03/07/2025 13:01

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri në disa bashki të vendit, duke konfirmuar se dy prej tyre mbeten ende aktive.

Zjarret janë evidentuar në territorin e bashkive: Elbasan, Finiq, Selenicë, Vlorë, Memaliaj, Libohovë, Dropull, Kamëz, Tiranë, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Fier, Divjakë, Vau i Dejës, Malësi e Madhe dhe Lezhë.

Elbasan: Vatra ndodhet në vendgrumbullimin e mbetjeve, ku vijon puna për shuarjen e plotë të flakëve.

Finiq: Në zonën midis fshatit Grazhdan (njësia Livadhja) dhe fshatit Malçan (njësia Dhivër), situata është më e qetë sot. Intensiteti i zjarrit ka rënë, por vatra vazhdon të monitorohet nga afër.

Nga të dhënat paraprake të raportuara nga Ministria e Mbrojtjes, janë djegur rreth 18 hektarë me bimësi, si dhe rreth 220 rrënjë ullinj, kryesisht në zona të mbuluara me barishte, shkurre dhe pemë.

Në operacionet për shuarjen e vatrave janë përfshirë: 64 automjete zjarrfikëse; 252 forca operacionale nga strukturat vendore; 35 efektivë të Forcave të Armatosura; 4 automjete zjarrfikëse të ushtrisë; 4 kamionë vetëshkarkues; 1 traktor me zinxhirë.

Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, sot vendi përballet me një rrezik të lartë për zjarre në thuajse të gjitha qarqet, për shkak të temperaturave ekstreme dhe thatësisë së tejzgjatur.

Ministria u bën thirrje të fortë qytetarëve që në këto ditë me temperatura të larta dhe kushte të rrezikshme për përhapjen e zjarreve, të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarr:

Ndezja e zjarreve në ambiente të hapura

Djegia e mbetjeve

Hedhja e objekteve të ndezshme në natyrë

Çdo vatër zjarri duhet të njoftohet menjëherë pranë strukturave vendore ose numrave emergjentë.

Top Channel