
Pas 15 vitesh që nga data e krijimit të saj AKU nuk do të ekzistojë më.
“Duhet më njëherë të pezullohet AKU-së, sepse më shumë se sa mirë bën dëm”, shprehet kryeministri Edi Rama.
Gjithashtu do të zhbëhet edhe drejtoria e AKVMB dhe Akuakulturës, në bazë të ligjit të inspektimit shërbimet e inspektimit do të bëhen nga një institucion të vetëm, unifikimi i inspektorateve është direktive e BE. Qendërzimi i këtyre tre drejtorive pritet të përfundojë pas hartimit të akteve nënligjore, ku sipas burimeve të Top Channel ky institucion i ri do të ketë emrin Inspektorati i Ushqimit.
“Institucionet duhet të funksionojnë deri në momentin që ato do të transformohen sipas ligjit të inspektimeve. Pra në këtë ligj është përcaktuar që AKU, AKVMB dhe Inspektorati Peshkimit do të bëhen bashkë dhe do jetë një institucion që do menaxhojë të gjithë sigurinë ushqimore në Ministrinë e Bujqësisë. Edhe deklarata që ka bërë kryeministri shkon në këtë linjë në mbështetje të ligjit të inspektimit”, shprehet Gjok Vuksani, pedagog i UBT.
Ky reformim është i nevojshëm të behet sepse kështu pritet jo vetëm që ulet numri inspektimeve por të rritet dhe siguria ushqimore.
“AVMB u nda veç dhe përgjegjëse për sigurinë ushqimore nga ferma deri në treg, dhe AKU nga tregu në tavolinë. Për mua kjo ishte ndarje e gabuar sepse bënte një lojë duke gjuajtur topin tek njëra-tjetra. Për shembull siç ndodhi me mandarinat, AKU është përgjegjëse dhe e kapte mbetjen e lartë të pesticideve, por pjesën tjetër për ta ndjekur nga tregu deri tek prodhuesi ia pasonte topin AKVMB dhe kur shkonte AKVMB thoshte është shitur prodhimi. Pra si koncept ku të jetë një institucion që kontrollin ushqimin nga ferma në tavolinë nuk është negative”, shton Vuksani.
Por këto ndryshime strukturore nuk do të thotë se në terren do të mungojë mjeku veterinar apo specialisti i bimëve, sepse pa këto dy profesioni nuk garantohet siguri ushqimore.
Top Channel