Senati amerikan miraton “Projektligjin e madh dhe të bukur” të Trump, dy senatorë amerikanë votuan kundër

03/07/2025 21:08

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë miratuar projektligjin e politikës së brendshme të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili përfshin ndryshime rrënjësore në shpenzimet.

Projektligji u miratua me 218 vota pro dhe 214 kundër. Kjo do të thotë se dy republikanë votuan kundër tij, së bashku me kolegët e tyre demokratë të cilët votuan të gjithë kundër tij.

Projektligji kaloi në Senat, megjithëse me një diferencë të ngushtë votash, dhe tani ka nevojë për firmën e Trump për t’u bërë ligj shtetëror dhe për të hyrë në fuqi.

CNN komenton se miratimi i jep Trump arritjen e parë të madhe legjislative të mandatit të tij të dytë, pas një fushate të ashpër lobimi nga udhëheqësit e Partisë Republikane për të bashkuar një parti thellësisht të ndarë. Afati jozyrtar i vendosur nga Shtëpia e Bardhë ishte festa kombëtare e 4 korrikut, nesër.

Çfarë përfshihet në ligj?

Projektligji prej 887 faqesh përfshin lehtësime tatimore, shkurtime shpenzimesh, shfuqizimin e kredisë tatimore diellore, para për mbrojtjen kombëtare dhe për deportimet. Projektligji nuk e eliminon taksën e Sigurimeve Shoqërore, pavarësisht asaj që thotë Trump, vëren Associated Press.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha se projektligji “do ta bëjë këtë vend më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë se kurrë”, ndërsa udhëheqësi demokrat Hakeem Jeffries, në një fjalim rekord prej 8 orësh e 44 minutash, e quajti atë “një skenë krimi që dëmton shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e popullit amerikan”.

Top Channel