
Ka nisur ndërhyrja nga ajri për fikjen e zjarrit në landfillin e Elbasanit. Pas 72 orësh ende tymi toksik vazhdon të përfshijë qytetin e Elbasanit dhe rrethinat. Mbi 100 forca të angazhuara, mjete zjarrfikëse dhe mjete të rënda të cilat kanë shkarkuar mbi 10 mijë tonë dhera në përpjekje për fikjen e zjarrit.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu qëndroi rreth 5 orë në landfillin e përfshirë nga flakët ndërsa së bashku me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit dhe Drejtorin e Emergjencave Civile vunë theksin në nevojën e ndërhyrjeve afatgjata.
“Jemi në një situatë ku ka rënie të intensitetit dhe kjo është gjë e mirë ndaj duhet të vazhdojmë përpjekjet për fikjen totale, sipas kërkesave të grupit në terren që përcakton nevojat. Pas kësaj situate duhet të merren vendime përsa i përket përgjegjësive, të ardhmes së këtij vendgrumbullimi, shtrirjes së tij, metodat sesi kapsulohet dhe kemi një grup në punë e sipër nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkia të cilët shumë shpejt do të na thonë planet në mënyrë që këto ndodhi të mos përsëriten”, tha ministri Sinkron Pirro Vengu.
Ndërkohë Ministri bëri me dije se ekspertët janë duke bërë matjet për nivelin e ndotjes në zonën e landfillit dhe në qytet. Në tre ditë Elbasani është përfshirë nga 7 vatra të ndryshme zjarresh të cilat e kanë bërë situatën emergjente.
“Kanë qenë të shumta zjarrvëniet në këto tre ditë. Tre vatra vetëm sot ku dhe u rrezikuan dhe banesa. Situatë e vështirë prej tre ditësh. Situata më e vështirë ajo në landfill, të gjitha të tjerat janë fikur tashmë”, tha kryebashkiaku Gledian Llatja.
Teksa kanë nisur hetimet për shkaqet e zjarreve, dënimi i zjarrvënësve mbetet kryefjala.
“Institucionet duhet të hetojnë për të vënë para përgjegjësisë zjarrvënësit, që në shumicën e rasteve ka autorë, me apo pa dashje. Duhet të hetohet për të gjitha rastet”, tha Haki Çako, Drejtor i Emergjencave Civile.
Sipas ekipeve në terren ndërhyrja nga ajri nuk është e vonuar, por nuk rezulton efikase në situata të tilla si landfillet të cilat kanë specifikat e tyre për shkak të thellësisë që ka zjarri dhe përbërjes së materialeve në të.
Top Channel