
Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt po kërkon bisedime të drejtpërdrejta me regjimin islamik taleban në Afganistan me qëllim që të lehtësojë deportimin e kriminelëve afganë nga Gjermania, sipas një artikulli në revistën Focus.
“Ne ende kemi nevojë për palë të treta për të zhvilluar bisedime me Afganistanin. Por kjo nuk mund të jetë një zgjidhje e përhershme”, tha për Focus ministri konservator, i cili i përket Bashkimit Kristian Social (CSU), partisë motër të Kristian Demokratëve (CDU) në Bavari.
“Unë parashikoj arritjen e marrëveshjeve të drejtpërdrejta me Afganistanin për të lehtësuar deportimet”, shtoi Dobrid.
Që nga viti 2021, kur talebanët morën pushtetin në Afganistan, nuk ka pasur deportime të afganëve nga Gjermania, me vetëm një përjashtim. Gushtin e kaluar, 28 afganë të dënuar për krime u dërguan me aeroplan në Kabul me ndihmën e Katarit.
Dobrid iu referua gjithashtu vështirësive të deportimit të sirianëve në vendin e tyre. Për të lehtësuar deportimet në Siri, paraardhësja e tij Nancy Fezer kishte filluar të kishte kontakte me qeverinë e re kalimtare të vendit, e cila kryesisht vjen nga organizata islamiste Hayat Tahrir al-Sham që rrëzoi nga pushteti presidentin sirian Bashar al-Assad.
“Ka kontakte me Sirinë në lidhje me një marrëveshje për deportimin e kriminelëve sirianë. Megjithatë, ato ende nuk kanë dhënë rezultate”, shpjegoi ministri gjerman.
Sipas Dobridit, numri vjetor i refugjatëve të pranuar në Gjermani duhet të jetë dukshëm më i vogël se 200,000. Ky limit ishte propozuar më parë nga paraardhësi i Feser, Horst Seehofer.
Megjithatë, në dy vitet e fundit, 600,000 azilkërkues u pranuan në Gjermani, përveç 1.2 milion ukrainasve që jetojnë në vend, të cilët duhet të llogariten në numrin e përgjithshëm të refugjatëve, vuri në dukje ministri i brendshëm gjerman.
“Pra, sot limiti teorik prej 200,000 nuk zbatohet, është gjithashtu shumë i lartë bazuar në situatën aktuale”, theksoi ai.
Top Channel