
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e tre të tjerëve është regjistruar sot në aksin e vjetër Fushë Krujë-Borizanë.
Në aksident janë përfshirë dy automjete, ku për pasojë ka humbur jetën një grua e moshuar, Bedrije Saja, 85 vjeçe.
Ndërkohë, tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Përkatësisht drejtuesja e njërit prej mjeteve Malvina Kani, drejtuesi i mjetit tjetër Indrit Saja i cili udhëtonte me familjen, dhe Lindita Saja.
Të dëmtuarit janë dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
“Rreth orës 11:00, në aksin rrugor “Fushë Krujë – Borizanë”, automjeti me drejtuese shtetasen M. K., rreth 30 vjeçe, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin I. S., rreth 50 vjeç.
Si pasojë ka humbur jetën pasagjerja në automjetin me drejtues shtetasin I. S., nëna e tij, shtetasja B. S., rreth 85 vjeçe, si dhe janë dëmtuar 2 drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerja tjetër në automjetin me drejtues shtetasin I. S., të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”
Top Channel